- reset +
Members Login

Login
Home

Urologji

Në kabinetin e urologjisë kryhen ekzaminimet e Uroflowmetrisë dhe Cistoskopisë.

Uroflowmetria është një metodë  ekzaminuese jo-invazive, jo e vështirë për t’u kryer dhe me vlera të mëdha për dëpistimin e pacientëve me çrregullim të urinimit. Rekomandohet që ky ekzaminim duhet t’u paraprijë ekzaminimeve të tjera urodinamike. Për te kryer këtë ekzaminim pacientit duhet ti sigurohet privacia e duhur, dhe ai/ajo duhet ta kryejnë këtë ekzaminim atëherë kur të ketë ndjenjën normale të urinimit. Së fundmi pas kryerjes së ekzaminimit pacientit duhet ti matet sasia e urinës së mbetur në fshikëzën e urinës, duke përdorur aparatin ekografik. Ekzaminimi kërkon që pacienti të urinojë një sasi të caktuar urine tek aparati i flowmetrit (matësi i debitit urinar) për të bërë të mundur matjen e debitit urinar në njësinë e kohës.

Ekzaminimi i uroflowmetrisë i rekomandohet të gjithë pacientëve të cilët kanë çrregullime të aktit të urinimit pavarësisht moshës (me disa përjashtime të vogla për pacientët pediatrikë). Sëmundjet më të shpeshta kur rekomandohet kryerja e tij janë, të gjitha sëmundjet të cilat pengojnë zbrazjen e urinës nga fshikëza urinare si p.sh. hiperplazia beninje e prostatës, kanceri i prostatës, skleroza e qafës të vezikës urinare, etj. Një grup tjetër sëmundjesh ku rekomandohet kryerja e uroflowmetrisë janë edhe rastet e sëmundjeve të cilat çrregullojnë aktivitetin normal të muskulit të fshikëzës urinare ku përfshihen vezika neurogene, dëmtimet e shtyllës kurrizore të cilat shoqërohen me çrregullime të aktit të urinimit, etj. Së fundmi kryerja e këtij ekzaminimi rekomandohet të bëhet përpara edhe pas ndërhyrjes kirurgjikale për hiperplazinë beninje të prostatës dhe strictures te ureterës për të vlerësuar gjendjen përpara interventit dhe rezultatet e tij. Interpretimi i rezultateve të ekzaminimit bëhet gjithmonë vetëm nga mjeku urolog i specializuar në këtë drejtim.